Ylli brazilian Neymar ka deklaruar se do të ishte i lumtur të nominohej në listën e kandidaturave për çmimin “Topi i Artë 2015”.
Ai ka theksuar se do të ishte një nder i madh për të nëse do të ngjitej në podium së bashku me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon. Sulmuesi i kombëtares së Brazilit është një ndër kandidatët e sigurt për çmimin e futbollistit më të mirë të vitit, pasi luajti një rol kyç në fitimin e “tripletës” së Barcelonës, me 23 vjeçarin që arriti të shënonte në çdo ndeshje në Champions League nga çerekfinalet deri në finalen e Berlinit.
Megjithatë, Neymar hodhi poshtë zërat mbi një triumf të tijin për këtë çmim prestigjioz, duke u shprehur se në fund gara për “Topin e Artë” do të jetë midis Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit. “Për mua do të ishte një arritje e madhe nëse do të jem ndër tre finalistët”, – deklaroi Neymar për “TV Globo”. “Do të ishte një ëndërr nëse do të ngjitesha në podium përkrah Messit dhe Cristiano Ronaldos. Do të ishte një nder i madh.” Neymar, i cili luan përkrah Messit te Barcelona shprehu mirënjohjen e tij për mënyrën se si argjentinasi e ndihmoi të përshtatej shpejt në “Camp Nou”, që nga ardhja e tij në vitin 2013-të.
“Në fillim thuhej se do të luftonim me njëri tjetrin dhe që ai nuk do të më pasonte topin,” – deklaroi sulmuesi i kombëtares së Brazlit. “Por ai më mirëpriti në një mënyrë të pabesueshme, dhe vazhdon të më mbështesë në çdo hap të karrierës time. Për mua, Leo është një shok dhe një idhull.” Transferimi i Neymarit te Barcelona është vënë në qendër të investigimeve në Spanjë, me personat e përfshirë në marrëveshje që akuzohen për fshehje të kostos reale të transferimit të tij nga Santos.
Sandro Rosell dha dorëheqjen nga posti i presidentit që të mund të mbrohej nga akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa pasardhësi i tij Josep Maria Bartomeu, vazhdon të jetë i përfshirë në hetime pasi dyshohet se ka qenë i përfshirë në parregullsitë financiare. Gjithashtu, edhe babai i Neymar është nën akuzë në Brazil për evazion fiskal, duke qenë se 40 milionë € nga 57 milionë iu paguan një kompanie me pronësi të familjes së Neymar-it. Megjithatë, sulmuesi brazilian këmbëngul mbi faktin që babai i tij është totalisht i pafajshëm.
“Babi im e ka sqaruar disa herë situatën, por me sa duket disa njerëz nuk arrijnë të kuptojnë dhe këto tema vazhdojnë të diskutohen. Kjo situatë nuk ndikon aspak në paraqitjet e mia në fushën e lojës. Faktikisht, kur unë luaj nuk mendoj mbi asgjë tjetër veçse për ndeshjen. Megjithatë shpresoj që babain tim ta lënë të qetë”.
Monday, 27 July 2015 19:30