Kur fiton gjithçka në një sezon, në atë pasardhës fitimi i të gjithë trofeve mbetet sërish një obligim, aq më tepër kur skuadra në të cilën luan quhet FC Barcelona.
Luis Suarez ishte një prej lojtarëve më të rëndësishëm të blaugranave në fitimin e tripletës dhe me afrimin e vitit të ri futbollisti uruguajan thur sërish ëndrra të mëdha duke synuar fitimin e të gjitha kompeticioneve në të cilat blaugranat do të marrin pjesë, përfshi dhe Superkupën e Spanjës dhe atë të Europës që do të luhen në javët në vazhdim.
“Kur je pjesë e Barcelonës je i detyruar të fitosh gjithçka. Ne synojmë të përsërisim atë që bëmë në sezonin e fundit dhe nuk do të nënvlerësojmë asnjë trofe, pasi cdo trofe është i rëndësishëm”.
Suarez foli gjithashtu dhe për disa prej cështjeve më të nxehta këto ditë në skuadër, sic janë zërat për largimin e Pedros te United dhe kritikat ndaj Messit për humbjen në Kupën e Amerikës.
“Ai i Pedros besoj se është një vendim individual. Ai luan prej vitesh me Barcelonën, ka fituar shumë trofe dhe vendimi që ai do të marrë duhet respektuar. Sigurisht unë dëshiroj që ai të qëndrojë pasi është i rëndësishëm për ne, por ky është një vendim që i përket atij. Sa i përket kritikave ndaj Messit për paraqitjet e tij me Argjentinën, sinqerisht nuk arrij t’i kuptoj. Ai është lojtari më i mirë në botë dhe lojtarin më të mirë në Botë nuk mund ta kritikosh. Nuk duhet harruar që dhe Messi është njeri dhe i vuan këto gjëra. Unë jam i sigurt se herët a vonë do të arrijë të fitojë Kupën e Amerikës”.
Wednesday, 22 July 2015 13:35