Pas 4 viteve në Torino, aventuës së Migjen Bashës me skuadrën nga Piemonte i ka ardhur fundi. Mesfushori 28-vjeçar i Kombëtares Shqiptare është larguar nga skuadra “granata” pas përfundimit të kontratës por nuk ka marrë ende një vendim për të ardhmen. Në intervistën dhënë për faqen e specializuar, “Tuttomerkatoëeb”, Basha flet për të ardhmen por fillimisht ndalet te rezultatet pozitive që po regjistron Kombëtarja.
“Rikthimi im në Kombëtare varet nga shumë gjëra. U bashkova me skuadrën në Qershor dhe arrita të luaja titullar kundër Francës. Trajneri De Biasi beson shumë te unë dhe unë e kam shumë për zemër Kombëtaren. Gjithsesi, fillimisht duhet të gjej një skuadër të re sepse nga ky fakt varet edhe ecuria ime me fanellën e Shqipërisë”.Në vijim të intervistës, Basha hedh akuza të rënda në drejtim të stafit dhe drejtuesve të Torinos pasi sezonin e fundit ai e kaloi pjesën më të madhe të kohës në infermieri për shkak të një dëmtimi të rëndë, transmeton supersport.al.
“Nuk mund të them se nga Torino u largova në mënyrën më të mirë të mundshme. Vitin e shkuar pësova një dëmtim të lehtë por më pas gjithçka u komplikua. Më thoshin se nuk kisha asgjë serioze edhe pse këmba më dhimbte shumë. Humba një vit sepse u riktheva në fushë vetëm gjatë muajit Maj. Aty nuk janë mjekët që vendosin por stafi teknik dhe unë u besova duke shkuar përpara. Vazhdova kështu deri në momentin që pësova një dëmtim më të rëndë. Për fat të mirë u operova dhe arrita të ringrihesha në këmbë duke luajtur ndonjë ndeshje në fund të kampionatit dhe me Kombëtaren. Më vjen shumë keq sepse në Torino ndihesha mirë mes tifozëve”.
Në fund, mesfushori i lindur në Lausane hedh dritë mbi ofertat që kanë ardhur në adresë të tij.
“Përpara pak ditësh pata një kontakt me skuadrën e Lille por marrëveshja nuk u finalizua. Kam pasur kontakte edhe me disa klube italiane e turke. Frosinone? Do të shkoja me shumë qejf sepse kur kam luajtur aty ia kam kaluar shumë mirë. Nuk kam asnjë problem që të qëndroj në Itali, por nuk e përjashtoj as mundësinë që të ndryshoj vend për të provuar një eksperiencë të re”.
Tuesday, 21 July 2015 13:48