Zinedin Zidane do të jetë trajneri i ri i Realit. Sigurisht, nuk bëhet fjalë për një periudhë të afërt, por për në vitin 2016 kur përfundon dhe kontrata e Carlo Ancelottit në krye të klubit merengues.
Lajmin e bën të ditur e revista franceze, “France Football” dhe duke parë prestigjin e saj, raportimi është për t’u besuar. Sipas gazetës sportive, Zizu prej kohësh gjendet në role drejtuese te Los Blancos dhe kohët e fundit madje ka ushtruar dhe rolin e ndihmësit të trajnerit italian. Fakti që Zidane po qëndron kaq afër Ancelottit vjen dhe për shkak të dëshirës së tij për të fituar eksperiencë në bankinë.
Deri në vitin 2016 mendohet se 41 vjeçari do të ketë kaluar të gjitha fazat e nevojshme për të marrë në duart e tij drejtimin e skuadrës. Vetë Florentino Perez është ai që e sponsorizon francezin në këtë post duke e parë atë si njeriun ideal për të çuar përpara projektin e tij në momentin kur do të largohet dhe Ancelotti. Zidane, si futbollist ka qënë vërtetë i jashtëzakonshëm në fushë dhe tashmë sfida për të është nëse do të arrijë të jetë po kaq madhështor edhe në drejtim të skuadrës. Sigurisht që ta nisësh karrierën në krye të bankinës së Realit të Madridit nuk është aspak keq si start./rtk/
Monday, 07 April 2014 14:10