Lutfi Nuri dhe Edvin Libohovajanë dy zëvendëspresidentët e rinj të Federatës Shqiptare të Futbollit. Gjithçka është zyrtarizuar dje në mbledhjen e parë të Komitetit të ri Ekzekutiv të FSHF-së, të dalë nga Asambleja Zgjedhore e 28 shkurtit. Ky komitet përbëhet nga presidenti aktual i FSHF-së, Armand Duka, si dhe anëtarët Tahir Kastrati, Lutfi Nuri, Muhedin Targaj, Artan Hajdari,Edvin Libohova, Arben Dervishaj, Abdyl Kuriu, Bardhyl Minxhozi, Fatbardh Jera dhe Vasil Bici. Në mbledhjen e parë rendi i ditës ishte zgjedhja e dy zv.presidentëve të FSHF-së.
Si zv.president i parë i propozuar ka qenë Lutfi Nuri, i cili ka marrë unanimisht të gjitha votat e anëtarëve të tjerë. Votimi është bërë i hapur edhe për propozimin eEdvin Libohovës si zv.president i dytë. Ky i fundit gjithashtu ka marrë të gjitha votat e anëtarëve. Për Nurin, ky është mandati i tretë radhazi në këtë post, ndërkohë që ai ka marrë edhe postin e kryetarit të Komisionit të Financave në FSHF.
Nuri ishte më i votuari në asamblenë zgjedhore për anëtar të Komitetit Ekzekutiv, me 52 vota. Nga ana tjetër, vlen për t’u theksuar se zv.presidenti i ri, Libohova, ka qenë edhe më parë në këtë post, pikërisht në mandatin 1993- 1997. Madje, ai për një vit ka mbajtur edhe postin e presidentit të FSHF-së gjatë kësaj periudhe.
Gjatë asamblesë së fundit zgjedhore, Libohova mori 42 vota, duke qenë i gjashti më i votuar në listën me 9 kandidatë për anëtarë të KE-së.
Saturday, 15 March 2014 15:18