Futbollistët kosovarë që luajnë në Europë, vazhdojnë t’I përgjigjen me “po” Përfaqësueses së Kosovës. Pas lejes nga FIFA për të luajturndeshje miqësore, Kosova po mirëpret bijtë e saj, të cilët po ia zbardhin çdo ditë e më shumë fytyrën, duke korrur suksese me klubet ku po zhvillojnë karrierën. Qindra lojtarë kosovarë janë dukeluajtur me Përfaqësuese të tjera, por që tani po e mendojnë seriozisht rikthimin për ta përfaqësuar vendlindjen e tyre, pasi sipas tyre e ndjenjë obligim këtë gjë.
Në një intervistë për “Arena”-n, mesfushori sulmues i Luzernit, Haxhi Neziraj, i cili aktualisht luan për Kombëtaren Shpresa të Shqipërisë, ka pranuar se do t’i bashkohet menjëherë Kosovës nëse merr një ftesë nga trajneri Albert Bunjaku. 20-vjeçari ka deklaruar se ndihet i lumtur me vendimin e FIFA-s, dhe do të luajë me gjithë dëshirë për vendin e tij.
“Më është bërë shumë qejfi që FIFA ia ka lejuar Kosovës zhvillimin e ndeshjeve miqësore. Ky është një hap shumë i rëndësishëm. Sa I përket asaj, nëse unë do të luaj, atë e them pa asnjë dyshim. Unë jam kosovar dhe normal, nëse Kosova interesohet për mua, do të vij të luaj për vendin tim, siç besoj që do ta bënte çdo bashkëvendës i imi”, u shpreh talenti shqiptar.
Më tej Neziraj ka deklaruar se shpreson që sa më parë vendi i tij të pranohet me të drejta të plota në shtëpinë më të madhe të futbollit, ndërsa tregoi se ende nuk ka kontaktuar me askënd për të luajtur me Kosovën.
“Vendi im ende nuk është pranuar me të drejta të plota, por shpresoj që një gjë e tillë të ndodhë sa më shpejt. Sa i përket ndonjë kontakti ende nuk kam pasur që të luaj për Kosovën, por nëse marr ftesë e thashë edhe më parë që do ta pranoj me gjithë dëshirë dhe do të vij të luaj”, u shpreh Neziraj, i cili konsiderohet si ndër lojtarët më të talentuar të skuadrës së Luzernit. /albeu.com/
Monday, 27 January 2014 16:44