“Talenti shqiptar i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj, ka marrë mesazhe nga shqiptarët në mediat sociale që të luajë për kombëtaren e tyre” – shkruan Daily Star Sunday.
“18-vjeçari ka të drejtë të përfaqësojë Belgjikën, Shqipërinë, Serbinë dhe Turqinë për shkak të prejardhjes së tij të përzier. Ai deri më tani ka refuzuar ftesat nga Federata Belge e Futbollit, ndërsa tani nacionalistët shqiptarë po përpiqen ta bindin përmes rrjeteve sociale”, shkruan gazeta.
“Ti ke gjak shqiptari, mos harro”, përmendet një postim në Facebook.
Sipas Daily Star, ai duhet të vendosë nëse do të luajë për Belgjikën në Kampionatin Botëror 2014 ose të rrezikojë që të mos marrë pjesë kurrë në një turne të madh duke e përfaqësuar Shqipërinë.
Në fakt, Adnan Januzaj është i lindur në Bruksel nga prindër kosovarë. Në moshën 10-vjeçare ai nënshkroi për Anderlechtin, ndërsa në vitin 2011 iu bashkua Manchester Unitedit. Ai mund të vendosë ta përfaqësojë Kosovën, Shqipërinë dhe Belgjikën./tema/
Monday, 23 September 2013 16:15