Çesk Fabregas e ka cilësuar të pamendueshme shitjen e Lionel Mesit pas blerjes së brazilianit Neimar në fillimin e verës. Ishte legjenda e futbollit botëror, Johan Krujf, ai që këshilloi shitjen e argjentinasit, por për mesfushorin spanjoll, nuk ekziston ideja se Mesi duhet larguar për të evituar përplasje të mundshme me Neimar përsa i përket rolit të liderit në ekip.
“Është e pamendueshme që Mesi të mos jetë pjesë e këtij klubi”, tha Fabregas. “Leo është lojtari më i rëndësishëm i skuadrës, nuk ekziston askush tjetër si ai. Hiq Mesin dhe mund të mos humbasësh asgjë, por njëkohësisht i heq skuadrës një pjesë të madhe të aftësisë për të shprehur lojën e saj spektakolare. Përpjekja e tij individuale është aq e madhe, sa që kontribuon për të gjithë skuadrën dhe klubin në përgjithësi”.
Ndonëse Mesi mendohet se është ende numri 1 i kësaj skuadre, Fabregas është i lumtur që tani do të ketë në ekip edhe Neimar.
“Ai ndiqej nga thuajse të gjitha skuadrat rivale në botë. Besoj se për të do të jetë një ambient shumë i mirë për të përfituar personalisht dhe për të na ndihmuar ne të fitojmë sa më shumë”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 30 June 2013 15:27