Andrei Shevçenko është një nga ata futbollistë që duhet të falënderojnë Karlo Ançelotin për arritjet në karrierën e tyre. Ukrainasi ishte një talent i jashtëzakonshmë kur aktivizohej te Dinamo Kiev, por transferimi nën urdhrat e Ançelotit te Milani e transformoi atë në një prej sulmuesve më të mirë të futbollit modern, duke siguruar edhe “Topin e Artë” në vitin 2004.
Ndaj ukrainasi nuk ka se si të mos vlerësojë Karlo Ançelotin dhe në mediat spanjolle ka parashikuar suksese për Real Madrid nën drejtimin e italianit.
“Zgjedhja e Ançelotit më duket perfekte pasi Karlo vetë motivohet nga kjo sfidë, ndërsa Reali është një skuadër që i përshtatet ideve dhe mënyrës së si punon ai. Kjo është e mirë për të dy palët, janë të bërë për njëri-tjetrin. Ançeloti do të bëjë që Reali të luajë një futboll të bukur”, u shpreh ukrainasi që braktisi futbollin e luajtur një vit më parë.
Ndonëse Sheva e quan Ançelotin një fitues, ai cilëson të tillë edhe Murinjon dhe nuk dëshiron t’i ulë vlerat ish-teknikut të madrilenëve.
“Karlo është një fitues i lindur. Në futboll, të fitosh është e vetmja gjë që ka rëndësi. Por kjo nuk do të thotë se Murinjo është një trajner më i keq, edhe ai është një fitues. Të dy janë fitues, por kanë metoda të ndryshme pune dhe personalitete të ndryshme. Jam i bindur se Ançeloti do të jetë miku i të gjithëve, jo vetëm i Kristiano Ronaldos apo yjeve të tjerë. Mendoj se Kristiano nuk do të ikë nga Reali, pasi ky klub është maksimumi. Nuk mendoj se ka nivel më të lartë se kjo skuadër”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 30 June 2013 09:32