Patris Evra po bëhet gati të largohet nga Mançester Junajtid, ku ka kuptuar se nuk është më i domosdoshëm, pasi “djajtë e kuq” duan të blejnë Leiton Beins. Mbrojtësi francez nuk dëshiron të jetë alternativë e dytë në krahun e majtë të mbrojtjes ndaj ka filluar të shohë për një sistemim të ri.
32 vjeçari ka marrë këtë vendim pasi në mediat angleze u shfaq lajmi se Junajtid kishte bërë një ofertë prej 12 milion paund për futbollistin e Everton, një nga të preferuarit e Mojes në periudhën kur ai drejtonte këtë skuadër. Everton ka hedhur poshtë fillimisht këtë ofertë, pasi kërkon 16 milion paund, por dy palët mund të negociojnë për një shifër të ndërmjetme në javët në vazhdim.
Evra luan prej 7 vitesh te Mançester Junajtid duke qenë gjithmonë titullar fiks në krahun e majtë të mbrojtjes dhe në disa raste duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit të kësaj skuadre. Lojtari u transferua te skuadra angleze nga Monako në vitin 2006 për 5.5 milion paund dhe duket se tashmë do të bëjë të njëjtën rrugë, por në kahun e kundërt, pasi klubi i principatës dëshiron ta marrë përsëri. (LajmeShqip.com)
Saturday, 29 June 2013 10:35