Qeveria spanjolle u ka kërkuar klubeve të këtij vendi që të fillojnë të ndërmarrin hapat e parë të kursimit për të shlyer rreth 1 miliard euro borxhe deri në vitin 2016, nga rreth 4 miliard euro borxh që kanë në total.
Plani për 42 skuadrat e kategorisë së parë dhe të dytë përfshin shkurtimin me rreth 100 milion euro të rrogave në sezonin e ardhshëm, si dhe disa ekipe mund të detyrohen të shesin lojtarët e tyre më të mirë nëse nuk rregullojnë bilancet financiare.
Akordi u arrit që në janar pas diskutimeve të Ministrisë së Financave dhe Ligës Profesioniste, por kjo është hera e parë që shteti vendos një objektiv të qartë për t’u arritur në financat e klubeve.
Spanja po mundohet që të pastrojë sa më shpejt financat e futbollit dhe të japë një imazh sa më të mirë për botën, pasi Madridi ka hedhur kandidaturën zyrtare për të mbajtur Lojërat Olimpike 2020.
Në fillim të këtij muaji, qeveria spanjolle miratoi edhe një ligj të ri anti-doping që shpreson të pastrojë disi imazhin që është krijuar për sportin spanjoll pas skandaleve të shumta. (LajmeShqip.com)
Friday, 28 June 2013 12:47