Mesfushori i Bajern Mynih, Frank Riberi, është bindur se ky klub do të vazhdojë të ketë sukses nën drejtimin e Pep Guardiolës. Spanjolli ka zhvilluar seancat e para stërvitore me fituesit në fuqi të Ligës së Kampioneve, ndërsa synon që të ketë një impakt sa më të mirë pas sezonit ku bavarezët fituan gjithçka nën drejtimin e Jup Heinkes. Por Riberi, është i bindur se sukseset do të vijnë edhe me Guiardiolën.
“Mendoj se kemi pritur shumë për këtë moment dhe të kemi Pep këtu është diçka fantastike”, tha ai. “Mendoj gjithashtu se Pep ishte shumë i lumtur të bëhej trajner i Bajern Mynih dhe është i lumtur për sukseset që kemi arritur më parë, të cilat synon t’i vazhdojë”.
“Për ne është e rëndësishme të dimë se klubi synon të qëndrojë në të njëjtat nivele. E dimë që nuk do të jetë e lehtë për të, ka gjithmonë shumë trysni mbi trajnerin, por ne do ta mbështesim të gjithë. Të gjithë lojtarët duhet të jemi të përqendruar dhe të gatshëm për të komunikuar me njëri-tjetrin që në fillim, nuk mund të përgjumemi. Kjo është mënyra e vetme, duhet të stërvitemi dhe të luajmë mirë”, tha Riberi, i cili pranoi se Guardiola mund të kishte ide të tjera për aktivizimin e tij.
“Në stërvitjen e parë më pyeti nëse mund të luaja si numër 10 në fushë dhe i thashë se mund ta bëja pa problem”, shpjegoi mesfushori francez i cili në sezonin e fundit ka luajtur gjithmonë në krahun e majtë të mesfushës. (LajmeShqip.com)
Friday, 28 June 2013 09:34