Prezantimi i Loran Blank te Paris Sent Zhërmen si trajneri i ri i kësaj skuadre i ka shërbyer presidentit të këtij klubi, Naser Al-Khelaifi, për të lëshuar një mesazh mjaft të qartë ndaj atyre që ëndërrojnë t’i shkëpusin ekipit disa nga lojtarët më të mirë.
“Kam dëgjuar shumë gjëra dhe kam lexuar shumë lajme të ndryshme në gazeta. Dua të saktësoj që tani se Ibrahimoviç dhe Tiago Silva do të qëndrojnë te PSZH deri në fundin e kontratës së tyre”, shpjegoi Al-Khelaifi.
Më pas, ka qenë Blank që ka bërë të qartë se nuk përbënte asnjë problem për të se ishte në stolin e kësaj skuadre vetëm se disa trajnerë të tjerë i kishin kthyer klubit një përgjigje negative.
“Është e vërtetë, jam kontaktuar shumë vonë. Por gjëja e rëndësishme është se tani jam këtu. Nuk është e rëndë të mos jesh i pari në listë, e rëndësishme është që gjërat përfunduan në këtë mënyrë. Cilat janë objektivat e klubit? Të bëjmë më mirë se në vitin e kaluar, kur fituam kampionatin dhe arritëm në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve”, shpjegoi Blank që ka firmosur për dy vite te ekipi francez. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 June 2013 22:19