Zvicra duket se është e bindur se ka fituar përfundimisht grupin e eliminatoreve të Botërorit 2014 ku bën pjesë edhe kombëtarja shqiptare e futbollit, aq sa ka filluar të planifikojë që tani pjesëmarrjen në fazën finale. Trajneri Otmar Hitzfeld ka udhëtuar drejt Brazilit për të parë vendin ku do të stërvitet skuadra e tij gjatë qëndrimit në Amerikën Latinë para dhe gjatë turneut.
Por gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç mendohej, pasi vendi i prenotuar nga zviceranët ishte një gërmadhë e vërtetë. Stadiumi në Guaruja, një fushë rreth 90 minuta larg Sao Paulo ishte lënë në pikë të hallit, me shtyllat e thyera të portave, bariun që kishte mbuluar çdo cep të stadiumit dhe dhitë që kullotnin në mes të fushës.
Televizioni zviceran, që kishte udhëtuar për të ndjekur këtë vizitë të trajnerit, shfaqi pamjet ku Hitzfeld dukej qartësisht i tronditur nga situata që kishte përballë.
“Nuk duhet të mërzitemi për gjendjen e këtij vendi pasi ne jemi të bindur se përgjegjësit do të mbajnë premtimet e tyre. Ata na thanë se i gjithë stadiumi do të modernizohet brenda vitit të ardhshëm dhe do të bëhet gati për ne. Do të ketë një fushë të re, do të rindërtojnë tribunat dhe dhomat e zhveshjeve”, shpjegoi Hitzfeld i gjendur në vështirësi, edhe pse fliste me sigurinë e një skuadre të kualifikuar në turne. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 June 2013 12:32