Trajneri i Brazilit, Luiz Felipe Skolari, mendon se arritja në finalen e Kupës së Konfederatave ka vërtetuar se seleçao ka fuqi të shkojë deri në fund në Botërorin e vitit të ardhshëm që organizohet në këtë vend.
“Ne arritëm objektivin tonë që ishte kalimi i fazës së parë, deri në finale, për t’u dhënë lojtarëve një sens bashkimi dhe tifozëve një ide se ne kemi një ekip të mirë që mund të arrijë deri në finalen e Kupës së Botës”, tha tekniku brazilian i cili ka marrë drejtimin e kombëtares vetëm në dhjetor. “Kjo është ajo që dëshironim të bënim dhe arrihet vetëm duke fituar. Ndaj kemi arritur çdo objektiv që i kemi vënë vetes. Por tani kemi një objektiv të ri, të fitojmë finalen”.
Skolari, i cili drejtoi Brazilin në Botërorin 2002 drejt suksesit, u kritikua në ndeshjet e tij të para, duke gjetur shpesh kundër edhe tifozerinë. Por ai mendon se kjo ishte pjesë e rëndësishme e procesit të eksperiencës së një ekipi, që për momentin është gjëja më e rëndësishme.
“Në vitin 2002 kishim një skuadër shumë më të përgatitur, në përbërje ishin 6 lojtarë që kishin luajtur edhe në vitin 1998. Ndërsa në tani kemi 2-3 lojtarë që kanë luajtur në Botërorin e vitit 2010. Gjëja e rëndësishme është se kemi ende shumë për të mësuar. Duhet të piqemi ende dhe nuk ekziston asgjë që mund të të ndihmojë të rritesh më shumë se një finale e tillë”, deklaroi trajneri i Brazilit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 June 2013 12:29