Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, ka vazhduar me shfaqjet e nacionalizmit të tepruar, duke deklaruar se PSZH meritonte më në fund një trajner vendas dhe për këtë ishte i lumtur që parisienët kishin zgjedhur Loran Blank.
PSZH kishte ndjekur me radhë Zhoze Murinjo, Arsen Venger, Andre Vijas Boas, Frenk Rajkard e Majkëll Laudrup, por në fund firmosi me Blank vetëm dy ditë më parë, duke kënaqur Platini që kërkonte një bashkëkombës të tij në drejtimin e klubit.
“Kjo është një sfidë shumë e bukur për Loran Blank. Është e shkëlqyer që PSZH zgjodhi një francez. Tani është në dorën e tij t’u tregojë lojtarëve që e meriton një pozicion të tillë. Është një sfidë mjaft e mirë dhe për vetë Loran është një mundësi e mirë që i shfaqet në karrierë”, shpjegoi Platini mendimin e tij.
Presidenti i UEFA-s më pas është munduar të flasë në përgjithësi për situatën ekonomike të PSZH, një nga klubet që nuk ka respektuar absolutisht rregulloren e Fair Play Financiar.
“Pozicioni i UEFA-s do të jetë i njëjtë. Ne do të nisim procesin nga viti 2014. Të gjithë ata që nuk kanë respektuar rregullat, do të duhet të japin përgjegjësi para UEFA-s”, deklaroi Platini. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 June 2013 12:28