Transferimi i Karlos Tevez drejt Juventusit tashmë është zyrtarizuar, me lojtarin dhe dy klubet që kanë rënë dakord për gjithçka. Argjentinasi aktualisht gjendet në Torino, ku pritet të prezantohet me vonë si blerja e re kësaj skuadre.
Por në këtë transferim nuk është marrë në konsideratë një faktor shumë i rëndësishëm, që Tevez i detyrohet 250 orë punë sociale shtetit anglez dhe duhet t’i shlyejë ato para se të shkëputet përfundimisht, ose të bëhet gati për një tjetër betejë ligjore.
Sulmuesi është dënuar nga një gjykatë pasi ka nisur makinën pa patente dhe pa siguracionin e automjetit. Sipas burimeve pranë policisë angleze, argjentinasi nuk ka plotësuar orët e detyrueshme, ndërsa atyre që shkelin ligjin dhe duhet të kryejnë punë sociale, u lejohen deri 35 orë punë në javë.
Si rrjedhojë, Tevez duhet të ngutet që të kthehet në Angli jo vetëm për të marrë bagazhet, por edhe për të plotësuar këto orë të mbetura para datës 12 korrik, kur Juventusi fillon fazën përgatitore. Është bërë e ditur se oficerët e policisë gjyqësore e kanë paralajmëruar argjentinasin që të kthehet sa më parë dhe të përmbushë këtë detyrim, në të kundërt pasojat do të jenë shumë më drastike. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 June 2013 11:46