Karlos Tevez do të prezantohet të enjten si blerja më e re e Juventusit, pasi ka pranuar të firmosë me këtë skuadër një kontratë trevjeçare. Futbollisti është pritur në aeroportin e Torinos nga një turme mjaft entuziaste, e cila e ka shoqëruar atë deri në zyrat e klubit bardhezi.
Atje, lojtari ka takuar presidentin Anjeli dhe trajnerin Konte, ndërsa pas kërkesave të vazhdueshme të tifozëve, ka shfaqur edhe fanellën e tij të re. Tevez u shfaq në ballkon me një fanellë bardhezi që mbante emrin e tij dhe numrin 10, duke bërë të qartë se tashmë ai do të trashëgonte fanellën e Aleks Del Pieros, të lënë bosh që pas largimit të kapitenit.
“Jam këtu sepse Juventusi më dëshironte më shumë. Jam i lumtur që vij në këtë skuadër”, ishin fjalët e vetme të Tevez para mediave italiane, më një konferencë të mirëfilltë për shtyp që do të mbahet të enjten. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 26 June 2013 22:18