Mediat spanjolle kanë bërë të ditur se Lionel Mesi ka paguar në ditët e fundit rreth 10 milion euro në taksa të prapambetura, për vitet 2009-2012, në mënyrë që të shmangë një tjetër skandal si ai i ditëve të kaluara. Futbollisti argjentinas akuzohet për evazion fiskal për një shumë të përafërt me 4 milion euro, me seancat e gjyqit që do të mbahen në shtator.
Por duket se strategjia e argjentinasit për të fshehur të ardhurat nëpërmjet disa kompanive fantazmë ka vazhduar edhe pas periudhës së parë të hetuar nga gjykata spanjolle, në vitet 2006-2009. Ndaj Mesi dhe përfaqësuesit e tij ligjorë kanë vepruar me shpejtësi për të shmangur një skandal më të madh, duke derdhur në arkat e shtetit spanjoll rreth 10 milion euro që ia kishin fshehur në vitet e fundit, ku përfitimet e argjentinasit ishin edhe më kolosale.
Sipas revistës së specializuar “Forbes”, në vitin e fundit, Mesi ishte sportisti i 10-të më i paguar në botë, me fitime që kishin kaluar shifrën 40 milionë dollarë.
Megjithatë, ka dalë në skenë fakti se evazioni fiskal nëpërmjet kompanive fantazmë ndërkombëtare të vendosura në parajsa fiskale, nuk ka qenë një ekskluzivitet i argjentinasit. Mediat spanjolle bëjnë të ditur se prokuroria po përgatit një akuzë të ngjashme edhe për Zhoze Murinjon. Dyshohet se edhe portugezi ka vepruar në të njëjtën mënyrë me argjentinasin, duke mos paguar shuma të konsiderueshme në arkat e shtetit spanjoll. Jo rastësisht, Ministri i Thesarit në Spanjë, Kristobal Montoro, ka deklaruar dy ditë më parë se të gjithë duhej të shpejtonin të paguanin taksat, duke paralajmëruar për një valë të gjerë kontrollesh, me sportistët elitarë që janë të parët në këtë listë falë përfitimeve të larta financiare që kanë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 25 June 2013 12:45