Edgar Çani nuk ka ndër mend të lëvizë nga Katania, por dëshiron që të fitojë hapësira në ekipin e parë te ky klub. Ky është prononcimi i menaxherit të futbollistit, Oberto Petrika, i cili ka sqaruar edhe se si ishte situata e lojtarit për të cilin presidenti i Katanias, Pulvirenti, ka deklaruar se kishte refuzuar një ofertë nga një klub i Serisë B.
“Nuk ka refuzuar asnjë kërkesë, por mendoj se presidenti Pulvirenti ka bërë një deduktim të drejtë, duke parë se Edgar ka thënë gjithmonë se dëshiron të vazhdojë të qëndrojë te Katania. Ndoshta e ka kërkuar Trapani apo Avelino, ndërsa ishte klubi që refuzoi duke ditur qëndrimin e Çanit”, tha ai, pa hedhur poshtë hipotezën e diskutimeve të mëvonshme për një transferim të mundshëm.
“Është e qartë se nëse paraqitet një klub i Serisë A apo B me ndonjë ofertë interesante dhe një projekt serioz, do ta marrim në konsiderate. Por deri tani nuk na ka kontaktuar askush nga klubet profesioniste. Katania e di që djaloshi nuk dëshiron të luajë në Serinë B dhe kjo është arsyeja pse mund të ketë hedhur poshtë menjëherë ofertën që i ka ardhur. Çani është lidhur me shokët e skuadrës dhe sinqerisht dëshiron që të prezantohet në grumbullimin e fillimit të sezonit, që të vlerësohet nga trajneri me shpresën që të qëndrojë. Por jemi profesionistë, nuk ka asnjë konflikt me Katanian. Nëse do të na thërrasin dhe të na thonë të largohemi, do të fillojmë të shohim rreth e rrotull”, deklaroi ai. (LajmeShqip.com)
Sunday, 23 June 2013 09:52