Ish-sulmuesi i njohur brazilian, Romario, ka akuzuar FIFA-n, duke e cilësuar si “presidentin e vërtetë të Brazilit”, pas ngjarjeve të ditëve të fundit, duke akuzuar organizatorët e këtij aktiviteti. Sipas tij, këto para do të ishin shpenzuar më mirë për të ndërtuar mijëra shkolla për fëmijë.
“Vazhdimi i këtij aktiviteti është mungesë respekti dhe tregon se janë njerëz të paskrupullt. Këto para të hedhura nëpër stadiume deri tani do të mjaftonin për të ndërtuar 8 mijë shkolla, 39 mijë autobusë për shkolla apo 28 mijë kënde sportive në të gjithë vendin”, ishte deklarata e Romarios, i cili tashmë është një politikan dhe anëtar i Parlamentit në Brazil.
“Paratë që po hidhen në stadiumin “Mane Garrinça” në Brazilia, mund të përdoreshin lehtësisht për të ndërtuar 150 mijë banesa për familjet e shtresave të varfra që nuk i kanë”, tha ai.
“Presidenti i vërtetë i vendit tonë është FIFA, ka vendosur një shtet brenda shtetit. Nuk paguajnë taksa. Hyjnë e dalin, vendosin këtu tendat e cirkut të tyre sipas qejfit dhe pastaj marrin gjithçka me vete”, ishte kritika e radhës së Romarios, i cili gjithmonë ka qenë kundër mënyrës së si po administroheshin përgatitjet për Botërorin 2014, pasi ka akuzuar shtetin brazilian për vjedhje të vazhdueshme të fondeve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 23 June 2013 09:51