Kombëtarja italiane, ashtu si të gjitha të tjerat, është e blinduar në hotelin e saj, duke lëvizur vetëm për stërvitje dhe ndeshje, si shkak i dhunës dhe protestave që kanë shpërthyer në Brazil. Si zakonisht, i vetmi që bën përjashtim nga këto rregulla është Mario Baloteli, i cili dje ka bërë xhiro në lagjet e varfra të qytetit të Salvador.
Sulmuesi ka shëtitur mes njerëzve, ka qëndruar për pak kohë mes tyre dhe është njohur menjëherë nga turma, duke u bërë shkak që shpesh të ndalej edhe trafiku në këtë pjesë të qytetit. Por trajneri i kombëtares italiane, Çezare Prandeli, ka sqaruar se ai kishte një leje të veçantë për këtë xhiro, pasi kjo kishte qenë pjesë e një projekti bamirësie për rindërtimin e kësaj zone të qytetit.
“Ai kishte një lejë të veçantë sepse dukej si një prej tyre. Të gjithë po mbyllemi brenda përveç Balotelit, ngjyra e të cilët është ndryshe nga e jona”, ishte batuta e Prandelit, por që në fakt ka shkaktuar shumë polemika, pasi është cilësuar një sjellje raciste e trajnerit të Italisë.
“Më parë thashë diçka për ngjyrën e lëkurës. Jam i lumtur që qartësuam atë çështje dhe pse ai ishte i vetmi që u largua nga hoteli. Ai ishte rrethuar nga njerëzit por në fakt po bënte diçka të bukur pasi ishte bamirësi”, tha Prandeli në një prononcim të dytë për shtypin, pasi deklaratat e tij të mëparshme u cilësuan si raciste. (LajmeShqip.com)
Saturday, 22 June 2013 09:21