Ish-ylli i Portugalisë dhe Real Madrid, Luis Figo, parashikon se Lionel Mesi dhe Neimar do të kenë një bashkëpunim “të shkëlqyer” tani që braziliani është zhvendosur në “Kamp Nou” përkrah argjentinasit. Neimar është shtesa e fundit në një skuadër yjesh, ku gjenden aktualisht edhe emra si Inesta, Ksavi, Fabregas apo Vija.
Sipas Figo, Mesi dhe Neimar nuk do të kenë asnjë problem të luajnë përkrah njëri-tjetrit dhe nëse do të ketë ndonjë problem, ai do të kufizohet jashtë fushës së lojës dhe jo brenda katërkëndorit të gjelbërt.
“Lojtarët e mëdhenj e kuptojnë gjithmonë njëri-tjetrin. Nëse ata nuk kuptohen, nuk do të jetë për shkak të futbollit”, sqaroi Figo.
Sipas tij, në Kupën e Konfederatave ka dy skuadra favorite, që qëndrojnë mbi të tjerat, Brazili dhe Spanja, që sipas tij janë kandidatët e vetëm për të fituar turneun.
“Në teori, Spanja dhe Brazili janë favoritë. Sigurisht, në praktikë mund të jetë edhe ndryshe ndaj të presim të shohim se çfarë do të ndodhë”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 22 June 2013 09:17