Mesfushori i Spanjës, Ksavi Hernandez, ka zbuluar se një bisedë me Visente Del Boske e ka bindur që të mos largohet nga përfaqësuesja, siç kishte vendosur fillimisht pas Kampionatit Evropian të vitin 2012.
“I thashë Del Boske që mendoja të largohesha dhe më pyeti: ‘Pse, mos të ka kapur depresioni?’ Më pas më tha: ‘Ti duhet të shkosh në Botëror në Brazil. Si nuk dëshiron të luash aty!’ Kjo ndryshoi gjithçka për mua”, shpjegoi mesfushori i Spanjës.
Më pas, ai foli edhe për mikun e tij të ngushtë në radhët e Spanjës, portierin Iker Kazijas dhe situatën që po përjetonte ky i fundit në klub .
“Unë kam vuajtur shumë për Iker, pasi nuk e meritonte atë trajtim dhe e kam parë të tronditur. Këtë vit kemi folur më shumë se kurrë. Problemi nuk ishte se nuk luante, ishin deklaratat që bëheshin për të. Si mund të thotë Murinjo se gabimi i tij ishte që nuk bleu një portier tjetër dy vite më parë? Ndoshta nuk i kujtohet, por Iker i fitoi atij Kupën në Valencia me tre pritje spektakolare. Ai meritonte më shumq respekt nga sa ka marrë nga klubi”, tregoi Ksavi që ka një lidhje të ngushtë miqësore me portierin e Realit.
Situata e krijuar, e ka shtyrë Ksavin të mendojë se Zhoze Murinjo kishte si qëllim të shkatërronte futbollin spanjoll.
“I interesonte të krijonte përçarje apo ndonjë gjë të përafërt, por të jeni të sigurt se nuk i interesonin gjëra të mira për futbollin spanjoll. Por ja ku jemi tani, kjo na ka bërë më të fortë. Ai dëshironte të na dëmtonte, por në fund nuk ia doli mbanë, pasi ne treguam më shuam personalitet se ai”, ishte deklarata bombë e Ksavit. (LajmeShqip.com)
Friday, 21 June 2013 18:52