Susana Uerner, bashkëshortja e portierit të Brazilit, Hulio Cesar, ka bërë të ditur se ka qenë viktimë e një grabitje me armë në qytetin e Fortaleza. Por ajo u mundua të minimizonte gjithçka, duke deklaruar se nuk ishte asgjë më shumë se “një armë që i drejtohej”.
Ajo tregoi në Twitter se grabitja kishte ndodhur pak para mesnatës në qytetin ku Brazili mundi Meksikën me rezultatin 2-0 në Kupën e Konfederatave.
“Ishte një grabitje rutinë, ashtu si shumë të tjera për të cilat kam dëgjuar më parë. Ishte hera e parë që gjendesha në një situatë të tillë, por isha e përgatitur që të mos reagoja. Kriminelët ishin të rinj dhe thjesht dëshironin gjërat e mia. Nuk kishte asnjë akt agresioni, thjesht një armë e drejtuar nga unë”.
“I thashë se mund të merrnin gjithçka, edhe makinën, por ata na lanë të largohemi. Jeta vazhdon, unë e dua Brazilin dhe kam besim se gjërat do të bëhen më mirë. Mund t’i kishte ndodhur kujtdo, ishin tre prej tyre në mes të rrugës, duke pritur për makinën e parë që do të kalonte dhe unë bëra bingo”, ishte komenti me humor i modeles së famshme braziliane e cila në rininë e saj ka qenë edhe partnerja e ish-sulmuesit Ronaldo. (LajmeShqip.com)
Friday, 21 June 2013 17:43