Klubi i Anzhi Makhashkala do të detyrohet të luajë ndeshjet e veta në Kupat e Evropës larg fushës së vet, për shkak të problemeve me sigurinë, pas vendimit të marrë nga UEFA.
“Paneli i emergjencave në UEFA vendosi që situata e sigurisë në Dagestan dhe Kaukazin e Veriut bën që asnjë ndeshje e turneve UEFA të mos luhet në këtë rajon gjatë sezonit 2013-2014. Si rrjedhojë, Anzhi Makhashkala i është kërkuar të propozojë një stadium alternativ për ndeshjet e tyre në shtëpi në sezonin 2013/2014 të Europa League. Vendimi i UEFA-s u mor pasi u shqyrtua situata dhe të gjitha paralajmërimet e qeverive të ndryshme. Ky vendim mund të qëndrojë në fuqi edhe për sezonet pasardhëse”, shkruhej në deklaratën e shpërndarë nga organizata që kontrollon futbollin në Evropë.
Anzhi ka shpenzuar shuma të mëdha parash duke afruar sulmues si Eto’o , mesfushorin Uillian apo trajnerin Gus Hidink. Por ata mbyllën kampionatin në vendin e tretë, duke mos arritur të kualifikohen përsëri në Ligën e Kampioneve, për t’u kënaqur me Europa League ku marrin pjesë rregullisht në sezonet e fundit. Edhe në edicionin e kaluar të Europa League, Anzhi luajti takimet e veta në Moskë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 19 June 2013 23:01