Mançester Junajtid duket se ka lënë pas krahëve pistën e Çesk Fabregas, pasi kërkon t’i rrëmbejë Barcelonës një tjetër futbollist, mesfushorin Tiago Alkantara. Trajneri Devid Mojes ka udhëzuar që kapiteni i Spanjës U-21 të kontaktohet menjëherë, duke parë dëshirën e vetë lojtarit për të shkuar te një ekip ku ka mundësi të luajë titullar, si dhe çmimin e ulët të kartonit të tij.
Alkantara ka tërhequr shpesh vëmendjen e klubeve angleze, me Mojes që e ka vëzhguar nga afër që në kohën kur drejtonte Evertonin. Por edhe Mançester Junajtid ka qenë në gjurmët e futbollistit që kur ai ishte adoleshent, por pa arritur ta shkëpusë nga Barcelona.
Tani, djali i ish-yllit brazilian, Mazinjo, kërkon të luajë rregullisht dhe mund të përfitojë nga fakti që klauzola e largimit të kontratës së tij është vetëm 18 milion euro, një shifër që Mançester Junajtid do ta paguante me shumë kënaqësi duke parë cilësitë e futbollistit.
Në fakt, Barcelona i kishte vënë lojtarit një klauzolë fillestare prej 85 milion eurosh në marrëveshjen e nënshkruar dy vite më parë. Por aty ishte vendosur edhe një klauzolë që thotë se lojtari duhej të luante të paktën 30 minuta në 60% të ndeshjeve. Por kjo kohë nuk është arritur në 15 nga 36 ndeshjet që ai luajti me fanellën e katalanasve, duke bërë që klauzola e largimit të tij të bjerë nga 85 milion euro, në 18 milion euro, pasi klubi nuk ka respektuar kohën që i kishte premtuar lojtarit.
Tashmë katalanasit e kanë kuptuar se po gabojnë duke lënë të largohet lojtarin dhe nuk është rastësi që në ditën kur ai shënoi 3 gola në finalen e Evropianit U-21 kundër Italisë, ishte shoku i tij i skuadrës, Zherard Pike, që e ftoi publikisht të mos largohej nga ekipi spanjoll, por të nënshkruante një kontratë të re. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 19 June 2013 14:21