Antonio Kasano duket gjithnjë e më shumë pranë Parmës. Futbollisti i Interit duket se nuk bën pjesë në planet e Maxarrit dhe për këtë arsye po sheh alternativat rreth e rrotull. Atij i ka ardhur një ofertë pak ditë më parë nga Xhenoa, por kohën e fundit, për të po interesohet edhe Parma.
Klubi emilian është më i favorizuar pasi ka edhe mbështetjen e Interit. Lojtari mendohet të jetë pjesë e transferimit të Ishak Belfodil drejt zikaltërve, pasi Interi tashmë ofron 10 milion euro për kartonin e tij plus huazimin e Kasanos dhe Silvestres.
“Mendoj se po bëhen ende bisedime mes palëve, të shohim nëse do të arrijmë të mbyllim shpejt gjithçka. Është e qartë se nëse marrim Belfodil, e bëjmë sepse mendojmë se është një futbollist i fortë. Të shohim tashmë si shkojnë gjërat edhe me huazimet”, deklaroi vetë Morati para gazetarëve italianë.
Për Kasanon, huazimi do të thotë lamtumirë përfundimtare pasi ai ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me Interin dhe vitin e ardhshëm, Parma apo çdo ekip tjetër mund ta sigurojë me parametër zero. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 19 June 2013 14:17