Fabio Kapelo do të jetë trajneri i Paris Sent Zhërmen në sezonin e ardhshëm. Lajmi është publikuar rreth mesnatës në të gjithë mediat më të njohura ndërkombëtare, edhe pse vetë trajneri italian nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.
“Jam me pushime, nuk di asgjë”, ishte komenti i vetëm që i është shkëputur mbrëmë trajnerit italian, por tani të gjithë janë të sigurt se marrëveshja njëvjeçare është nënshkruar. PSZH do të paguajë 3 milion euro për të prishur kontratën e tij me përfaqësuesen ruse, e cila është në rrugën e duhur drejt pjesëmarrjen në Botërorin 2014 dhe për këtë arsye mund të mos ketë nevojë për dorën e Kapelos në ndeshjet e mbetura.
Trajneri italian ka mposhtur konkurrencën e Andre Vijas Boas, i cili nuk ishte i gatshëm të nënshkruante një kontratë njëvjeçare dhe më pas të lëshonte pankinën, siç do të bëjë Kapelo. Kjo taktikë e PSZH vjen për faktin se klubi ka një akord parimor me Arsen Venger, që ky i fundit të drejtojë klubin duke filluar nga viti 2014 dhe duhej një trajner që të mbulonte vitin bosh, derisa kontrata e francezit me “topçinjtë” të përfundojë.
Gjithë kjo manovër lë të lirë Karlo Ançelotin t’i bashkohet Real Madrid, ndërsa edhe në stolin e Rusisë mund të ulet një tjetër trajner italian, Roberto Mançini, i cili pak ditë më parë deklaroi se është gati të marrë drejtimin e një kombëtareje. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 19 June 2013 09:02