Edinson Kavani më në fund ka dalë hapur dhe ka treguar se ëndrra e tij që fëmijë ka qenë të luajë me fanellën e Real Madrid. Futbollisti përflitet si në objektiv i mundshëm i klubit spanjoll, por për momentin ai ka vendosur të shtyjë një vendim deri pas përfundimit të Kupës së Konfederatave.
“Nuk është momenti për të menduar rreth të ardhmes, ajo që do të bëjnë klubet nuk varet nga unë. Pas Kupës së Konfederatave do të shohim se çfarë do të ndodhë. Ky është klubi për të cilin kanë ambicie të gjithë. Fëmijët, kur fillojnë të luajnë, e bëjnë këtë duke pasur ëndërr të veshin fanellën e Real Madrid. Por tani jam te Napoli dhe në këtë moment jam i përqendruar vetëm te kombëtarja. Askush nuk ka folur me mua për të më propozuar ndonjë gjë”, shpjegoi sulmuesi uruguaian.
Në fakt, marrëveshja për një transferim të mundshëm ka mbetur ende në vendnumëro, pasi Napoli kërkon 63 milion euro për futbollistin në fjalë, aq sa është klauzola e largimit të tij. Sipas mediave italiane, Reali ka kërkuar të ulë çmimin, por drejtuesit e Napolit kanë bërë të qartë se do të bëjnë një gjë të tillë vetëm nëse në transferim do të përfshihet edhe kartoni i Sami Khedira dhe Alvaro Morata. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 18 June 2013 13:57