Hans Joakim Uatzke, presidenti i Borusia Dortmund, ka lajmëruar se klubi do të rrisë me rreth 40% buxhetin e rrogave para fillimit të sezonit, me këtë lëvizje që mendohet se do të ndihmojë këtë klub të mbajë yjet që zakonisht zgjedhin ekipet më të pasura për të vazhduar karrierën e tyre.
Skuadra që fitoi titullin kampion në Gjermani për dy vite radhazi, në sezonin e fundit u dorëzua përballë Bajern Mynih, por rrugëtimi i tyre drejt finales së Ligës së Kampioneve ka financuar një rritje të ndjeshme të asaj që mund t’u ofrojnë lojtarëve aktualë dhe atyre që duan t’i bashkohen në të ardhmen.
“Në sezonin e ardhshëm, do të kemi një buxhet rrogash prej 67-68 milion eurosh. Kjo është shumë më tepër se sa kishim në dispozicion 2-3 vite më parë”, pranoi Uatzke për “Welt am Sonntag”.
“Sigurisht, në krahasim me skuadrat e tjera të mëdha evropiane nuk është shumë. Por rritja jonë është e balancuar mes të ardhurave dhe shpenzimeve”, shpjegoi drejtuesi i Borusia Dortmund, i cili raportoi se në sezonin e fundit, buxheti i rrogave kishte qenë vetëm 48.5 milion euro. (LajmeShqip.com)
Monday, 17 June 2013 08:06