Jup Heinkes i ka dhënë fund karrierës së tij si trajner duke konfirmuar përfundimisht se nuk do të marrë drejtimin e asnjë skuadre tjetër pas eksperiencës te Bajern Mynih. Nën drejtimin e 68 vjeçarit, bavarezët fituan Ligën e Kampioneve, Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë brenda të njëjtit sezon, si asnjë ekip gjerman më parë në histori.
“Unë faktikisht jam kundër vendimeve përfundimtare, por në këtë rast mund të them se nuk do të drejtoj më asnjë ekip futbolli. Unë kisha një largim dinjitoz nga futbolli në mënyrën se si ika”, tha Heinkes që në sezonin e ardhshëm do të zëvendësohet te bavarezët nga Pep Guardiola.
Trajneri është i bindur se skuadra do të vazhdojë të shkëlqejë nën drejtimin e spanjollit, edhe pse do të kishte preferuar të ishte ai që do të vazhdonte të drejtonte bavarezët në sezonet në vijim.
“Ky ishte vendimi i duhur. Duhet të mbërthesh një mundësi të tillë. Nëse ata nuk do të kishin gjetur një zëvendësues për mua, ne mund të kishim biseduar për zgjatjen me një tjetër vit të kontratës. Por tani situata është perfekte për mua. Besoj se edhe Guardiola do të gjejë një skuadër që punon në mënyrë perfekte”, tha Heinkes. (LajmeShqip.com)
Sunday, 16 June 2013 15:31