Kombëtarja uruguaiane e futbollit ka vendosur të bojkotojë stërvitjen e fundit në “Arena Pernambuko” duke shkelur për herë të parë në stadiumin brazilian vetëm në ditën e ndeshjes kundër Spanjës. Stërvitja e fundit zyrtare nuk është zhvilluar në shenjë proteste ndaj kushteve me të cilat janë përballur në Recife, duke denoncuar hapur një organizim që ata e kanë cilësuar të papërshtatshëm nga pala braziliane.
Uruguaianët kanë ardhur prej dy ditësh në Brazil por nuk kanë mundur të bëjnë stërvitje edhe falë distancave të gjata që u është dashur të përshkruajnë nga një vend në tjetrin, si dhe problemeve shumë të mëdha që kanë ndeshur gjatë udhëtimit. Gjithçka e kanë bërë publike në konferencë për shtyp dy futbollistët, Gargano dhe Rodriguez.
“Nuk kemi bërë stërvitje në fushë për shkak të asaj që po ndodh. Po e bëjmë këtë që njerëzit të kuptojnë se ne nuk po trajtohemi mirë këtu”, ishin fjalët e Garaganos.
Sipas Rodriguez, i cili luan te Atletiko Madrid, përshtatja me barin e stadiumit para sfidës me Spanjën nuk është edhe aq e rëndësishme.
“Lojtarët latino-amerikanë janë mësuar me këtë lloj terreni, do të jetë më e vështirë për ata, që janë të mësuar të luajnë një futboll të shpejtë”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Sunday, 16 June 2013 09:18