Mario Baloteli ka një të ardhme të madhe dhe mund të bëhet futbollisti më i mirë në botë duke kaluar edhe atë që për momentin cilësohet si i tillë, Lionel Mesi. Këto janë parashikimet e sulmuesit të famshëm brazilian, Adriano, si dhe ish-trajnerit të përfaqësues së Brazilit, Karlos Dunga.
“Baloteli më ngjan, ai është një lojtar i madh që ka ende shumë për të mësuar. Do të arrijë në nivelet e Mesit nëse nuk do të përsëritë gabimet që kam bërë unë”, ishte deklarata e Adrianos, i cili dje vizitoi hotelin ku po qëndronte përfaqësuesja italiane. “Ai do të çojë përpara Italinë, këtë e di mirë pasi kam luajtur përkrah tij te Interi”.
Të njëjtin mendim ndan edhe Karlos Dunga, i cili nuk ka ngurruar ta krahasojë atë me legjendën e futbollit brazilian, Pele, duke shtuar se Baloteli mund të jetë një figurë vendimtare për luftën kundër racizmit në futbollin botëror.
“Mario i ka të gjitha, ai është si Pele. Padyshim ai është një sulmues i fortë i futbollit modern. Forca është pikërisht një pikë kyç e karakterit të tij. Ai mundet dhe duhet të luftojë kundër racizmit, ai mund të bëjë një revolucion të vogël personal, falë forcës që zotëron. Baloteli mund të kthehet në një simbol të njerëzve të persekutuar, atyre që nuk kanë një zë për t’i përfaqësuar apo forcën për të folur”, ishte komenti i trajnerit brazilian. (LajmeShqip.com)
Sunday, 16 June 2013 09:13