Fernando Torres ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet për një transferim të mundshëm të Barcelona, duke deklaruar se shpreson të kthehet përsëri sulmuesi më i mirë në botë nën drejtimin e Zhoze Murinjos te Çelsi. Sulmuesi nuk ka qenë thuajse asnjëherë te blutë në formën që e bëri të famshëm dhe shtyu Çelsin që ta blinte për 50 milion paund nga radhët e Liverpulit në janarin e vitin 2011, duke hapur spekulime për një largim të mundshëm të tij.
“Unë dua të vazhdoj te kjo skuadër, dua të përmbush kontratën që kam nënshkruar dhe të vazhdojë të fitoj trofe. Do të dëshiroja të isha përsëri më i miri në botë në pozicionin tim”, deklaroi Torres për “AS”.
“Nuk ka vend më të mirë në botë për ta bërë një gjë të tillë sesa te Çelsi me Murinjon. Fjalët e tij më motivojnë. Ai ka thënë se nuk dëshiron të flasë me lojtarët që marrin pjesë në Kupën e Konfederatave pa mbaruar ky aktivitet. Por pas turneut do të takohemi, unë do t’i tregoj çfarë mendoj dhe ai gjithashtu do të bëjë të njëjtën gjë. Trofetë dhe arritjet e tij flasin vetë dhe nëse mendon për të gjithë lojtarët që ka drejtuar, sulmuesit kanë kaluar disa sezone të shkëlqyera në drejtimin e tij”, ishin lëvdatat e Torres për portugezin.
Ndaj sulmuesi nuk ka ngurruar të mbyllë kapitullin që e shihte atë të transferohej te Barcelona.
“Është gjithmonë mjaft e këndshme kur dëgjon për interesim nga klube si Barcelona, por plani im është të vazhdoj të qëndroj te Çelsi”, sqaroi ai. (LajmeShqip.com)
Saturday, 15 June 2013 18:23