Neimar është kthyer në idhullin e shumë tifozëve të Brazilit, të cilët shpresojnë që magjitë e tij të udhëheqin skuadrën drejt fitores në Kupën e Konfederatave. Por askush nuk e priste që një trajtim prej “idhulli” ai ta merrte edhe nga trajneri i përfaqësues, Luiz Felipe Skolari.
“Ai është një lojtar 21 vjeçar, një idhull për tifozët brazilianë dhe një idhull për mua gjithashtu”, ishte komenti i Skolarit rreth kësaj teme. Megjithatë, trajneri i Brazilit nuk ka fshehur dot faktin se mendon që sulmuesi i talentuar duhet të mësohet të luajë për skuadrën dhe jo të bëjë gjithçka individualisht, nëse synon të bëhet më i miri.
“Ai është një lojtar që mund të diktojë lojën, ai mund të vrapojë, pasojë, mund të kalojë kundërshtarët. Por ai do të bëhet edhe më i mirë kur të luajë si pjesë e skuadrës, ndonëse kjo do të kërkojë kohë. Për momentin jam shumë i lumtur me atë që ka bërë, pasi ka respektuar gjithçka që i është kërkuar. Me kohë do të bëhet një lojtar edhe më i mirë, pasi do të përfitojë më shumë eksperiencë”, tha trajneri i Brazilit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 15 June 2013 11:21