Felipe Santana ka etiketuar si “idiot” trajnerin e Borusia Dortmund, Jurgen Klop, duke e fajësuar atë për dëmtimin e Mario Gëtze që e la jashtë finales së Ligës së Kampioneve.
Futbollisti gjerman u dëmtua në ndeshjen e kthimit në gjysmëfinalen ndaj Real Madrid, dëmtim që i zgjati më shumë se një muaj dhe nuk e lejoi të luante ndaj Bajern Mynih. Sipas Santana, kjo situatë është krejtësisht faji i Klop, i cili e lejoi atë të përkeqësonte dëmtimin duke e aktivizuar në stërvitje.
“Trajneri ynë u tregua idiot. Mario ndjeu një goditje ndaj Realit dhe më pas e dërguan në një spital në Mynih. Kur ai u kthye, trajneri e la në stërvitje të martën, por nuk duhej ta kishte bërë kurrsesi një gjë të tillë, pasi të shtunën të gjithë e dinim që kishte një ndeshje të rëndësishme”, shpjegoi Santana.
Qendërmbrojtësi është larguar nga Borusia Dortmund në mbylljen e sezonit, duke iu bashkuar rivalëve të përjetshëm të Shalkes. (LajmeShqip.com)
Saturday, 15 June 2013 08:28