Andrea Pirlo e ka të qartë se pa kalimin në radhët e Juventusit, karriera e tij me kombëtaren mund të ishte mbyllur që dy vite më parë, atëherë kur të gjithë e cilësonin të mbaruar dhe ai rrezikonte të mos ishte pjesë e kombëtares në Euro 2012.
“Ishte një e mirë për të gjithë që unë kalova te Juventus. Me fanellën bardhezi e ndjeva veten të rinuar, jam pjesë e një grupi të madh që ka fituar dhe do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë. Nëse nuk do të isha transferuar te Juventusi, ndoshta tani nuk do të isha këtu, pjesë e kombëtares italiane duke luajtur Kupën e Konfederatave”, tregoi Pirlo.
Ai ka bërë të qartë se dëshiron të bëjë maksimumin në këto dy vite, që janë të fundit me fanellën e kaltër për të.
“Italia ka fituar Botërorin katër herë, ndaj për emër dhe histori që ka, e meriton të marrë pjesë në këtë edicion mjaft të veçantë të Kupës së Konfederatave. Do të jetë emocionuese të luajmë në “Marakana”. Botërori 2014 do të jetë i treti dhe i fundit për mua, ndaj dua të jem medoemos aty”. (LajmeShqip.com)
Friday, 14 June 2013 22:39