Qyteti i Brazilias, ku do të luhet ndeshja hapëse e Kupës së Konfederatave mes Brazilit dhe Japonisë, është kthyer në arenën e protestave të furishme për shpenzimet e çmendura që shëtiti brazilian po bën për futbollin, duke harruar problemet madhore që ka ky vend.
Rreth 300 protestues kanë dalë para stadiumit “Mane Garrinça”, duke u vënë zjarrin dhjetëra gomave të mëdha dhe duke shpalosur pankarta ku akuzohej qeveria vendase se po abuzonte me interesimin për Botërorin.
Tymi i dendur detyroi policinë që të bllokonte për disa orë plotësisht rrugët përreth stadiumit, ndërsa nuk ka raporte për të plagosur pasi u shpërnda turma.
Protestuesit mendojnë se shifra e 2 miliard eurove të shpenzuar për të përmirësuar stadiumet, do të kishte qenë shumë më e vlefshme për brazilianët nëse do të ishte shpenzuar në shëndetësi apo edukim .
“Ndërsa bota sheh disa burra që luajnë më top, rreth 250 mijë njerëz nuk kanë një çati mbi kokë në Brazilia”, ishte një nga parullat e shpalosura nga protestuesit, të cilët kanë premtuar se do të kthehen për një tjetër “shfaqje” para fillimit të ndeshjes gjatë ditës së nesërme. (LajmeShqip.com)
Friday, 14 June 2013 22:37