Edinson Kavani ëndërron të luajë të Real Madrid dhe është i përqendruar për t’u bërë pjesë e kësaj skuadre. Konfirmimin e ka dhënë sot babai i futbollistit 26 vjeçar uruguaian, i cili ka folur vetëm një ditë pasi bashkëshortja e tij kishte dekonspiruar bisedat që sulmuesi po bënte me spanjollët dhe me Mançester Sitin.
“Dëshira e Kavanit është të luajë për Real Madrid. Ai është shumë i entuziazmuar rreth kësaj mundësie dhe po përpiqet ta bëjë realitet. Ai i ka treguar privatisht familjes se dëshiron t’i bashkohet Real Madrid, por nëse e bën këtë deklaratë publikisht, do të mërzitë Napolin”.
“Ka pasur kontakte me përfaqësuesit ligjorë të Real Madrid dhe tani presim që klubet të takohen. Unë shpresoj që të ndodhë dhe bisedimet të zhvillohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Kush nuk do të dëshironte të luante për Real Madrid?!”, ishte komenti i babait të futbollistit që është aktualisht i grumbulluar me kombëtaren e vendit të tij për të marrë pjesë në Kupën e Konfederatave.
“Por nuk është gjithçka në dorën e Edit, po flitet për 65 milion euro dhe Napoli nuk pranon të negociojë për më pak”, ishte paralajmërimi i babait të lojtarit se këto diskutime mund të zgjatnin. (LajmeShqip.com)
Friday, 14 June 2013 13:48