Karlos Tevez shumë shpejt mund të bëhet një futbollist i Milanit, pasi me sa duket ka arritur një akord me klubin kuqezi për transferimin e tij në Itali. Futbollisti argjentinas kërkonte të bëhej pjesë e këtij klubi që një vit e gjysmë më parë, kur ishte në mes të zënkës së tij me Roberto Mançinin, por atëherë marrëveshja nuk u arrit, me negociatat që rifilluan vetëm javën e kaluar.
Dje, menaxheri i futbollistit, Kia Jarobçian është takuar si me drejtuesit e Juventusit, ashtu edhe me ata të Milanit, por duket se ka gjetur akordin vetëm me kuqezinjtë, të cilëve u kishtr betuar besnikëri edhe vitin e kaluar. Lojtari pritet të përfitojë nje rrogë prej 4 milion euro në sezon plus bonuse të ndryshme që kanë lidhje me numrin e golave, paraqitjet apo arritjet e skuadrës.
Por gjithçka tani varet edhe nga marrëveshja e dytë që kuqezinjtë po mundohen të realizojnë, atë të transferimit të Robinjo drejt Santos. Me mbërritjen e Tevez, braziliani do të bëhej një peshë e tepërt si në pankinë, ashtu edhe në arkat e klubit, falë rrogës së lartë që përfiton. Ndaj Milani po shtyn me forcë që ai të largohet drejt Brazilit, më shumë për të shpëtuar nga rroga e tij, duke shpresuar që njëkohësisht të përfitojë mes 8-10 milion euro nga shitja.
Këto para do të investohen për të marrë Tevez, çmimi i të cilit pritet të shkojë jo më shumë se 15 milion euro. (LajmeShqip.com)
Friday, 14 June 2013 13:47