Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka lënë të kuptohet se klubi i tij po interesohet për mbrojtësin e PSZH, Tiago Silva. Sipas tij, pengesa më e madhe në rastin konkret nuk është çmimi që mund t’i vërë klubi francez, por rroga e lartë që përfiton.
“Asgjë nuk mund të përjashtohet, por do të jetë e vështirë të bëhen negociata. Ne nuk kemi kontaktuar PSZH-në pasi rroga e lojtarit është shumë e lartë. Ne mund ta përballojmë një rrogë të tillë, por kjo mund të sjellë probleme brenda grupit të lojtarëve aktualë të ekipit”, shpjegoi Rosell.
Presidenti i Barçës më pas ka saktësuar edhe të ardhmen e portierit Viktor Valdes si dhe sulmuesit David Vija, të cilët do të vazhdojnë të jenë pjesë e ekipit edhe në sezonin e ardhshëm.
“Menaxheri i Viktor i tha drejtorit sportiv, Andoni Zubizarreta, se Valdes do të qëndronte në klub deri në fundin kontratës së tij. Ne jemi të kënaqur për këtë fakt, pasi kontrata e tij përfundon në verën e ardhshme, ndërsa stafi teknik të vazhdojë të qëndrojë në vëzhgim për një zëvendësues të mundshëm. Përsa i përket Vija, ai do të qëndrojë në klub derisa ne të vendosim ndryshe”. (LajmeShqip.com)
Friday, 14 June 2013 09:10