Kaosi ka përfshirë për disa orë FIFA-n pasi është mësuar se kombëtarja nigeriane e futbollit ka filluar një grevë të mirëfilltë dhe se kjo kishte sjellë si rrjedhojë edhe humbjen e avionit që do t’i dërgonte në Brazil për të marrë pjesë në Kupën e Konfederatave.
Kombëtarja nigeriane, e cila aktualisht gjendet në Namibi, ka protestuar për mospagesën e bonuseve të premtuara nga Federata Nigeriane e Futbollit për fitoren ndaj Kenias dhe barazimin ndaj Namibisë. Ndaj lojtarët kanë vendosur të mos dalin nga hoteli, pavarësisht paralajmërimeve të drejtuesve nigerianë, të cilët për vete kanë marrë rregullisht avionin dhe tani gjenden në Brazil.
Megjithatë, gjatë orëve të natës, me sa duket situata ka gjetur një zgjidhje, siç e ka konfirmuar Sekretari i FIFA-s, Zherom Valke.
“Fola pak më parë me menaxherin e kombëtares nigeriane dhe më konfirmuan se do të nisen të shtunën për në Brazil, ndaj ky problem mund të cilësohet i zgjidhur”.
Nigeria luan ndeshjen e parë të saj në Kupën e Konfederatave kundër Tahitit ditën e hënë në Belo Horizonte. (LajmeShqip.com)
Thursday, 13 June 2013 22:57