Kampionati slloven i futbollit është kthyer në qendrën e ekipeve satelit të skuadrave të mëdha italiane, pasi shumë prej pronarëve të këtyre ekipeve, tani kanë zgjedhur të blejnë edhe skuadra në vendin fqinj.
Drejtuesit e Parmës kanë krijuar një kompani satelit në Slloveni, nëpërmjet të cilës kanë siguruar të drejtën e menaxhimit të klubit të Nova Gorica, duke administruar si ekipin e parë, ashtu edhe atë të të rinjve. Objektivi është që nëpërmjet këtij klubi të furnizohet Parma me talente të reja në vitet në vazhdim, ndërsa në drejtimin e skuadrës si trajner është emëruar një ish-futbollist i klubit italian, Luixhi Apoloni.
Një tjetër skuadër sllovene, FC Koper, ka përfunduar në duart e familjes Poco, e cila është përhapur në të gjitha kampionatet kryesore në Evropë. Pas kontrollit të Udinezes në Itali, Granada në Spanjë dhe Uotford në Itali, kjo familje është shtrirë edhe në Slloveni për të vazhduar projektin e saj të gjurmimit të talenteve të reja. Udineze është një nga klubet më rezultateve për prodhimin dhe shitjen e futbollistëve duke i marrë ata të rinj dhe me çmim të ulët, për t’i kthyer në kampione dhe për t’i kaluar me çmim të lartë te skuadrat e njohura.
Falë kësaj strategjie, familja Poco jo vetëm ka garantuar një qëndrueshmëri te Udineze duke e mbajtur gjithmonë mes më të mirave në kampionatin italian, por ka arritur të blejë edhe skuadra të njohura në vende të tjera, duke u bërë gjithnjë e më ndikuese në futbollin evropian. (LajmeShqip.com)
Thursday, 13 June 2013 11:59