Florentino Perez është dorëzuar përballë kërkesave të Zinedin Zidan, ndërsa në takimin që u zhvillua mbrëmë mes tij dhe francezit, i ka premtuar këtij të fundit se do ta lejojë të ulet në stolin e Real Madrid, si ndihmës i Karlo Ançelotit.
Francezi i ka shpjeguar Perez se duke u ulur në pankinë dhe duke qenë në stërvitje më afër lojtarëve, do ta kishte më të lehtë të kryente edhe detyrat e drejtorit sportiv në klub, për të kuptuar paralelisht edhe botën e tyre në mënyrë që të bëhet një trajner më i mirë, ai që është kthyer në objektivin kryesor të francezit. Sipas Zidan, marrëdhënia njerëzore dhe psikologjike me futbollistët është po aq e rëndësishme sa përgatitja taktike, teknike apo fizike.
Mediat spanjolle kanë zbuluar se në këtë takim, Zidan i ka rekomanduar Perez që të mos shesë të riun Xhese dhe ta afrojë me skuadrën e parë. Do të jetë vetë francezi që do merret me këtë futbollist që e cilëson me të njëjtat dhunti si Ozil, por që ka nevojë për shumë përgatitje psikologjike, ashtu siç u bë me Benzema dy sezone më parë.
Gjithsesi, Perez ka lënë të hapur për diskutim mënyrën se si Zidan do të kryejë edhe punën e drejtorit sportiv, pasi mendon se të dy detyrat paralelisht mund të pengojnë zhvillimin e njëra-tjetrës. (LajmeShqip.com)
Thursday, 13 June 2013 11:59