Cesk Fabregas i ka cilësuar absurde të gjitha zërat se po përgatitet t’i japë lamtumirën Barcelonës gjatë verës. Zëvendëspresidenti i katalanasve, Josep Maria Bartomeu, deklaroi javën e kaluar se mesfushori do të lejohej të largohej drejt një skuadre tjetër nëse e shihte të arsyeshme, me skuadra si Mançester Junajtid e Arsenal që duket se janë interesuar për futbollistin.
Megjithatë, vetë lojtari ka folur për të disatën herë rreth kësaj teme, duke hedhur poshtë gjithçka.
“E kam thënë gjithmonë se jam i lumtur te Barcelona. Kushdo që thotë se po largohem, nuk më njeh dhe nuk ka folur asnjëherë me mua apo me menaxherin tim. Ky i fundit e di që nuk dua që të flasë me njerëz të tjerë rreth meje”.
“Unë jam një person shumë i rezervuar dhe nuk flas rreth këtyre çështjeve, edhe me familjen time. Nëse dikush thotë diçka ndryshe nga ajo se unë dua të luaj për Barcelonën, po thotë gjëra absurde”, deklaroi mesfushori i cili aktualisht është i grumbulluar me kombëtaren spanjolle në Kupën e Konfederatave. (LajmeShqip.com)
Thursday, 13 June 2013 08:13