Ibis, një klub i vogël në Brazil që figuron në librin “Guiness” si “skuadra më e keqe e futbollit në botë”, i ka bërë sfidë ekipit që prej shumë vitesh mban vendin e parë në botë, kombëtares së Spanjës, duke kërkuar një miqësore gjatë qëndrimit të iberikëve në vendin latino-amerikan gjatë Kupës së Federatave.
“Jemi në dispozicion të tyre. Çdo kontakt me ta do të jetë interesant dhe jemi të gatshëm t’i sfidojmë në një ndeshje kontrolli”, ishin fjalët e presidenti të këtij klubi, Ozir Ramos, në një intervistë të dhënë për “UOL Esporte”.
Skuadra e vogël e krahinës së Recife, gjendet në kategorinë e dytë të shtetit Pernambuko, por nuk ka shkuar asnjëherë në një kampionat kombëtar edhe pse është krijuar në vitin 1938. Rreth tre dekada më parë, kjo skuadër meritoi një famë të keqe në futbollin ndërkombëtar. Atëherë, ekipi kaloi 3 vite e 11 muaj pa arritur nj fitore në futbollin që cilësohet profesionist, duke bërë që të regjistrohej në librin “Guiness” si ekipi më i keq i historisë së futbollit.
Vitin e kaluar, skuadra “njollosi” emrin historik të klubit, pasi mbylli sezonin në vendin e 13-të në kampionat, para skuadrave si Ferroviario apo Atletiko Pernambukano. Ndonëse shumë tifozë kanë protestuar ndaj kësaj arritje që nuk ka lidhje me traditën e klubit, presidenti i Ibis ka bërë të qartë se i ka vënë objektiv skuadrës që të arrijnë në kampionatin elitar rajonal.
Gjithsesi, nga logoja e klubit nuk do të hiqet mbishkrimi “ekipi më i keq i futbollit në botë” që ata e mbajnë me krenari prej shumë vitesh. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 12 June 2013 12:34