Futbolli në Brazil është më shumë se sport, është një pasion që shpesh kthehet në një obsesion të mirëfilltë. Duket se kjo ndjenjë ka shtyrë kryebashkiakun e qytetit të Rio De Zhaneiros, Eduardo Paes, që të bëjë një kërcënim të mirëfilltë.
“Nëse Argjentina do të fitojë Botërorin e ardhshëm duke mundur Brazilin në finale, unë do të vras veten”, ishin fjalët e tij, që kanë lënë të shtangur gazetarët të cilët po i merrnin intervistë. “Argjentina ka Mesin dhe tani ka edhe Papën, ndaj Botërorin të na e lënë ne. Nuk mund të marrin gjithçka në këtë mënyrë”, ishin fjalët e tij.
Fjalët e tij janë thuajse një konfirmim i atyre të thëna nga Ministri i Sportit në Brazil, Aldo Rebelo. “Nëse Argjentina fiton Botërorin 2014, për ne do të ishte një tragjedi kombëtare, më e keqe se ajo e vitit 1950”, u shpreh ai.
Në vitin 1950, Brazili organizoi Kupën e Botës por u mund në ndeshjen e fundit nga Uruguai që i rrëmbeu titullin Kampion Bote (atëherë fituesi u përcaktua në ndeshje në grup). Pas asaj disfate 2-1 në “Marakana”, në Brazil u shpallën tre ditë zie kombëtare ndërsa kishte rreth 10 vetëvrasje nga tifozë të ndryshëm. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 11 June 2013 22:42