Milani ka vendosur të shkëpusë thuajse çdo lloj lidhje me të kaluarën, ose më saktësisht me atë brez lojtarësh që e ngjitën në majën e futbollit botëror për shumë vite me radhë. Konfirmimi ka ardhur nga deklarata e administratorit të përgjithshëm, Adriano Galiani, i cili ka bërë të qartë se kapitenit të viteve të fundit, Masimo Ambrozini, nuk do t’i rinovohej kontrata.
“Nuk do të rinovojmë kontratën dhe rrugët tona do të ndahen këtu. Nëse Abiati do të jetë dakord, shiriti i kapitenit do t’i kalojë Montolivos”, tha ai duke i dhënë fund një marrëveshje me futbollistin që ka qëndruar te kjo skuadër për 18 vite radhazi.
Më pas, administratori i përgjithshëm i Milanit ka folur në përgjithësi për merkaton, duke paralajmëruar edhe për lëvizje të tjera të mundshme.
“Niang nuk lëviz, ndërsa oferta që Santos ka bërë për Robinjon është shumë e ulët. Pas shumë vitesh eksperiencë në këtë fushë nuk do të them më se një lojtar është i pashitshëm. Ai për të cilin ka më shumë kërkesa aktualisht është El Sharaui. Pastore? E pamundur, 50 milion euro janë shumë për ne. Por nuk ka asnjë bisedë të hapur mes nesh dhe Sitit për Tevez e El Sharauin”, ishin fjalët e Galianit para mediave. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 11 June 2013 22:38