Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, i është kundërpërgjigjur akuzave që kanë bërë mesfushorët e Barcelonës, Ksavi dhe Iniesta, në adresë të ish-trajnerit të skuadrës së tij, Zhoze Murinjo. Sipas tij, kjo tregon qartësisht se Murinjo ka ndërtuar një ekip fitues që ka thyer hegjemoninë e Barcelonës në vitet e fundit.
“E kuptoj pse Ksavi apo Iniesta janë të mërzitur me Murinjon. Në pesë ndeshjet e fundit që kanë luajtur kundër nesh, ata nuk kanë arritur të fitojnë asnjë. Kur dikush nuk fiton dhe pastaj kritikon kundërshtarët, nuk mendoj se ka zgjedhur strategjinë e duhur”, ishte thumbimi i Perez në adresë të dy futbollistëve spanjollë.
“Me Murinjon mori fund historia kur Barça fitonte çdo ndeshje kundër Realit. Ndaj Murinjo ka të drejtë më atë që thotë se i dha fund ciklit të Barcelonës”, shpjegoi ai.
Më pas, numri 1 i madrilenëve shpjegoi edhe zërat për Zidan, Beil dhe merkaton e klubit.
“Zidan i hyri dëshira për t’u bërë trajner duke qëndruar përkrah Murinjos. Ai tani di gjithçka për lojtarët më të mirë që janë në Spanjë, në Francë, kudo. Nëse dëshiron t’i hyjë realisht trajnimit, mund të bëjë edhe drejtorin sportiv, edhe trajnerin e moshave. Nëse do, mund të marrë në të ardhmen edhe ekipin e parë. Beil? Madridizmi kërkon gjithmonë më të mirët. Totenhemi është një skuadër mike, por fillimisht do të shohim kush do të jetë trajneri ynë i ri, pastaj do të vendosim për strategjitë e merkatos së klubit”, deklaroi Perez. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 11 June 2013 14:27